Afron Gushti për Greqinë, ESM: Pritet të kthehet në një histori suksesi e krizës së borxhit
Kreu i Fondit të Shpëtimit të Eurozonës, tha se Greqia pritet të kthehet në një histori suksesi e krizës së borxhit sovran, megjithatë, rikthimi i plotë i besimit të investitorëve do të kërkojë angazhime të mëtejshme ndaj reformave ekonomike.
Greqia, që u përjashtua nga tregjet financiarë në vitin 2010, pritet të përfundojë programin e tretë të shpëtimit në muajin Gusht dhe shpreson që pas kësaj date, të mbështetet në tregjet e borxhit për të mbuluar nevojat e huamarrjes.
“Aksesi i Greqisë në tregje është ende i dobët”, tha kreu i Mekanizmit Europian të Stabilitetit, Klaus Regling.
Greqia, që ka normën më të lartë të borxhit ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në Eurozonë prej 179.8%, ishte vendi pranues i paketës më të madhe sovrane të shpëtimit në histori.
Thuajse 270 miliardë euro kredi janë ofruar nga partnerët e Eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Mekanizmi Europian i Stabilitetit mban më shumë se gjysmën e borxhit publik të vendit dhe si kreditori më i madh, pret që vendi të rifitojë përsëri akses të qëndrueshëm në tregje.
“Greqia pritet të kthehet në një shembull suksesi, ndërkohë që vazhdon reformat gjatë pjesës së mbetur të programit dhe pas muajit Gusht”, tha Regling.
Ndërkohë që vendi pret që kreditorët të ofrojnë lehtësim të borxhit afat-mesëm për ta bërë barrën më të lehtë, Regling tha se ka besim që një marrëveshje do të arrihet në takimin e javës së ardhshme të ministrave të Financave të Eurozonës.
“Megjithatë, ndërkohë që Greqia kërkon lehtësim borxhi më shumë se çdo vend tjetër në Eurozonë, mbikëqyrja pas programit do të jetë më e ashpër dhe gjithëpërfshirëse”, tha ai.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.