Afron “kapitullimi” i kriptovalutave – Java më e keqe e 2018-ës. Bitcoin pranë 4,000 dollarëve
Kolapsi i vitit 2018 për kriptovalutat po i drejtohet javës më të keqe deri më tani. Bitcoin ra drejt 4,000 dollarëve dhe të gjithë monedhat alternative ndoqën tendencën. Indeksi i Bloomberg që mat vlerën në treg të kriptovalutave, ka treguar rënie me 23% nga data 16 Nëntor, që është rënia më e madhe javore që kur monedhat arritën majën në fillim të Janarit.
Pas një rritjeje madhështore vitin e kaluar, që tejkaloi flluskat më të famshme në histori, kriptovalutat janë tkurrur me thuajse 700 miliardë dollarë dhe nuk po ndalojnë. Shumë prej shqetësimeve që nxitën kolapsin e vitit 2018, përfshirë rritjen e mbikëqyrjes rregullatore, përplasjes brenda komunitetit dhe kaosit në kursin e këmbimit, janë përshpejtuar këtë javë.
Sipas analistëve, ka ende shumë njerëz të përfshirë në këtë lojë dhe nëse vlera e Bitcoin shkon drejt 3,000 dollarëve, njerëzit do të arratisen nën panik. Valuta më popullore u tkurr me 7.6% ditën e Premte.
Monedhat rivale, Ether, Ripple dhe Litecoin, ranë të treja me të paktën 5%. Vlera në treg e të gjithë kriptovalutave, matur nga CoinMarketCap, u tkurr në 138 miliardë dollarë, nga 835 miliardë dollarë që ishte kulmi i muajit Janar.
Ndër viktimat e etheve të kriptovalutave janë; investitorët individual që u “turrën” për të blerë monedha kur çmimet arritën majën dhe kompanitë si Nvidia, që furnizojnë ekosistemin e kriptovalutave.
Nvidia, që prodhon karta grafike për kompjutera, humbi thuajse gjysmën e vlerës që prej Tetorit, ndërkohë që kërkesa për këto ra ndjeshëm. Ndikimi ekonomik i kolapsit të kriptovalutave ka qenë i limituar deri më tani, pjesërisht për shkak se bankat gjigante dhe fondet e investimeve nuk janë ekspozuar shumë ndaj tyre.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.