Afron lufta tregtare – Trump lajmëron tarifa për çelikun, aluminin; reagojnë të gjithë partnerët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se do të vendosë tarifa për importet e çelikut dhe aluminit për të mbrojtur prodhuesit amerikanë, gjë që solli kundërpërgjigje të ashpër nga partnerë të mëdhenj tregtar si Kina, Europa dhe Kanadaja. Rritja e shqetësimeve për luftë tregtare shkaktoi shitjen e aksioneve në Wall Street gjatë sesionit të së Enjtes.
Trump tha se tarifat prej 25% për importet e çelikut dhe 10% për aluminin, do të lajmërohen në mënyrë zyrtare gjatë javës që vjen. Trump argumenton se tarifat do të mbrojnë vendet e punës në Amerikë, por ekonomistët thonë se impakti i rritjes së çmimit për përdoruesit e çelikut dhe aluminit, si industritë e makinave dhe naftës, do të shkatërrojnë më shumë vende pune.
Reagimi në bursa reflektoi pikërisht këtë gjë, ndërkohë që aksionet e prodhuesve të këtyre metaleve u rritën, ndërsa kompanitë e makinave dhe avionëve patën rënie të madhe prej kostove më të larta që do të kenë. Kjo lëvizje ka marrë kritika jo vetëm nga partnerët tregtarë, por edhe nga vetë ligjbërësit republikanë dhe industritë e makinave, naftës dhe ndërtimit në Amerikë.
“Vendosja e tarifave do të shtrembërojnë tregtinë dhe shkaktojnë humbjen e vendeve të punës. Ne shohim masa të kundërpërgjigjes nga ekonomitë e tjera të mëdha”, tha ministri i Tregtisë në Australi, Steven Ciobo.
“Kina i bën thirrje SHBA që të përmbahen në përdorimin e masave proteksioniste, të respektojnë rregullat e tregtisë dhe japin kontribut në tregtinë ndërkobmëtare”, thanë zyrtarët e ministrisë së Jashtme në Kinë.
Zyrtarët në Korenë e Jugut, që është eksportuesi i tretë më i madh i çelikut në SHBA pas Kanadasë dhe Brazilit, thanë se do të zhvillojnë bisedime me Washingtonin, deri sa plani të finalizohet. “Për ne, rasti më i keq është një tarifë prej 54%. Megjithatë, edhe norma e sugjeruar nga Trump do të ndikojë eksportet tona”, deklaroi Ministria e Tregtisë.
Edhe zyrtarët në Japoni kërkojnë shpjegim, me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Hiroshige Seko, që tha se eksportet e çelikut dhe aluminit nga Japonia nuk cënojnë sigurinë kombëtare të SHBA në asnjë lloj forme. Toyota deklaroi se tarifat do të rrisin kostot, e për rrjedhojë, edhe çmimin e makinave dhe kamionëve që shiten në SHBA.
Kanadaja përmbush 16% të kërkesës së Shteteve të Bashkuara për çelikun. “Nëse vendosen tarifa për produktet kanadeze, ne do të ndërmarrim kundërmasa për të mbrojtur interesat tregtare dhe punonjësit”, deklaroi Ministrja e Punëve të Jashtme, Chrystia Freeland.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, tha se gjithashtu se do të ketë reagim me vendosmëri për të mbrojtur interesat dhe se kjo lëvizje nuk justifikon sigurinë kombëtare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.