Agjencia gjermane paralajmëron: Rusia mund të përdorë antivirusin Kaspersky në sulmet kibernetike në Europë!
Zyra Federale e Gjermanisë për Sigurinë e Informacionit (BSI) u ka rekomanduar përdoruesve të softuerit antivirus Kaspersky të kalojnë në një alternativë për shkak të frikës se firma ruse e sigurisë kibernetike mund të përdoret për të lehtësuar sulmet kibernetike nga qeveria ruse.
Në një buletin të botuar të martën, BSI paralajmëroi se lufta në Ukrainë kishte rritur rrezikun e sulmeve ndaj infrastrukturës së IT në vendet e NATO-s dhe Bashkimit Europian. Kaspersky Lab iu përgjigj pretendimeve duke mohuar ekzistencën e ndonjë lidhjeje mes tij dhe Kremlinit.
Deklarata e kompanisë theksoi gjithashtu se si infrastruktura e saj e përpunimit të të dhënave është e bazuar në Zvicër që nga viti 2018, dhe se informacioni nga përdoruesit gjermanë përpunohet në dy qendra të të dhënave të vendosura në Cyrih. Kjo nuk është hera e parë që origjina ruse e Kaspersky ka vënë nën vëzhgim kompaninë e sigurisë kibernetike.
Në vitin 2017, zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara urdhëruan departamentet qeveritare dhe agjencitë federale që të “heqin dhe të ndërpresin përdorimin aktual dhe të ardhshëm” të produkteve Kaspersky, duke thënë se “rreziqet e paraqitura nga produktet e markës Kaspersky” e justifikojnë masën.
Një raport i Bloomberg Businessweek mbi vendimin e qeverisë amerikane pretendonte se Kaspersky kishte lidhje me agjencinë ruse të inteligjencës FSB dhe pretendonte se kompania kishte “zhvilluar teknologjinë e sigurisë me urdhër të agjencisë së spiunazhit dhe kishte punuar në projekte të përbashkëta që CEO e dinte se do të ishin të sikletshme nëse do të bëheshin publike”.
Themeluesi i kompanisë Eugene Kaspersky mohoi akuzat për ndikimin e Kremlinit gjatë një sesioni të Reddit AMA në maj 2017. Kur u pyet nëse qeveria ruse ndikoi në operacionet e Kaspersky, ai u përgjigj: “Jo, nuk ka dhe çdo spekulim rreth tij është i rremë, ato janë teori konspiracioni të pabaza”.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.