Agjencitë e BE dalin nga Londra – Fiton Amsterdami dhe Parisi, në një garë të ngushtë mbi prestigjin e tyre

Amsterdami dhe Parisi fituan të drejtën për të mikpritur dy agjenci të Bashkimit Europian që duhet të dalin nga Londra për shkak të Brexit. Autoriteti Europian i Barnave, një element kritik i industrisë së shëndetësisë në kontinent, do të zhvendoset në Amsterdam, qytet që fitoi ndaj Milanos në takimin ministror në Bruksel ditën e Hënë.
Autoriteti Bankar Europian (EBA) do të shkojë në Paris, qytet që fitoi ndaj Dublinit, ku ky i fundit mori disa vota për shkak të dëmit që Brexit po i shkakton Irlandës.
Ndër humbësit e tjerë të mëdhenj ishte Frankfurti, që ka qenë në konkurrencë me Parisin për të zëvendësuar rolin e Londrës si qendra financiare kryesore në Bashkimin Europian, pasi vendi të dalë në 2019-ën. Frankfurti rezultoi në vend të tretë gjatë votimit për zhvendosjen e Autoritetit Bankar Europian, që cakton rregullat për testimin e bankave të rajonit.
Vende të tjera të zhgënjyera ishin shtetet ish-komuniste të Europës Lindore, që ankohen se kanë prezencë të ulët të 40 agjencive të Bashkimit Europian. Ndër fituesit ishte Agjencia Europiane e Barnave dhe stafi prej 900 personash, të cilët kishin thënë se do të linin punën nëse zhvendoseshin në lindjen e varfër.
Abstenimi i Sllovakisë i dha shansin Amsterdamit për të arritur në barazim me Milanon, me një rezultat prej 13-13 që nuk pritej, duke marrë parasysh se janë 27 vende anëtare që votuan. “Ishte si të humbasësh penalltitë në ndeshjen finale”, tha ministri italian për çështjet e BE, Sandro Gozi.
Rezultati u mirëprit nga përfaqësuesit e industrisë farmaceutike, prej sigurisë se Brexit nuk do të ndërpresë furnizimin e barnave. 19 qytetet që kandiduan prisnin prestigjin dhe nxitjen ekonomike që agjencitë dhe stafi i tyre do të sillnin. “Si do që të jetë rezultati, fituesi i vërtetë i votimit është Bashkimi Europian”, publikoi Donald Tusk në Twitter.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.