Agropikat për fermerët – Zusi: S’mjafton, duhet shërbim i konsulencës e stimuj për t’u bashkuar
Ngritja e agropikave nuk është mjaftueshme për asistimin e fermerëve”. Deklarata vjen nga presidenti i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, i cili shton se është e domosdoshme ngritja e shërbimit të konsulentit të fermerit, për çdo problem që ata mund të kenë.
“Nuk besoj se është e mjaftueshme. Ne duhet të krijojmë një rrjet me ofrues shërbimi publik, privat. Po themi në fushën e agronomisë, pa frikë mund të krijohen një mijë agronomë në gjithë Shqipërinë që mund ta ofrojnë këtë punë. Në fushën e veterinarisë pa frikë mund të krijohet një armatë tjetër me 500 veterinerë që ta ofrojnë këtë lloj shërbimi. Të jetë një shërbim i rregulluar, pra ku ky veterineri apo agronomi që ka për detyrë ta ofrojë këtë lloj shërbimi, ky patjetër që duhet ta raportojë, ky patjetër që duhet të testohet, nuk mund të jetë dokushdo. Listohet dhe fermerit i jepet opsioni që të zgjedhë ndërmjet tyre, që mos të ketë monopol. Pra, nuk thuhet që këtë fshat e ka ky dhe vetëm te ky do përplasi kokë. Jo, të jenë disa opsione që të rrisim konkurrencën. Ne duhet t’i krijojmë fermerit shërbimin e konsulencës. Ka nevojë fermeri në Itali për shërbimin e konsulencës, e jo më fermeri jonë.”
Sipas Zusit bashkimi i fermerëve në Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor është një politikë e drejtë, por duhen miratuar stimujt konkretë për ata që zgjedhin të bëhen pjesë e tyre.
“Ka munguar stimuli ekonomik. Pse duhet të jenë bashkë bën një kooperativë unë, ti dhe tre të tjerë dhe të mos punojmë tek e tek kur s’kemi asnjë lloj përfitimi. Në qoftë se duke punuar bashkë, fillimisht kemi një stimul konkret të prekshëm sepse do paguajmë 10% më pak taksa, apo sepse ne duke punuar bashkë shteti do na japë 10% më shumë nga fondet e AZHBR-së, ose sepse duke punuar bashkë në momentin që ne aplikojmë për fonde kemi 10 pikë bonus më shumë se sa ai tjetri që është tek, ne atëherë fillojmë e punojmë sepse kemi një interes konkret. Ky interes konkret, duke na bërë bashkë, në harkun e dy-tre viteve do na tregojë që duke punuar bashkë ne blejmë më lirë dhe shitëm më shtrenjtë, ndamë detyrat, u bë më e thjeshtë puna, patëm mundësi që të punësojmë edhe një ekonomist që tek e tek se punësonim dot, patëm mundësi që të punësojmë edhe një agronom që tek e tek nuk e punësonim dot. Paska benefite kjo punë. Pastaj t’i hiqja atë bonusin që do me i dhënë si shtet, hiqja atë 10% ekstra pas 3 vitesh, por këto nuk ndahen më.”
Fondi i vënë në dispozicion për skemat e mbështetjes për vitin 2018 është 20 mln euro, ndërkohë që në fund të muajit pritet të miratohet vendimi i qeverisë, që do të përcaktoj të gjitha detajet mbi aplikimin e tyre.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.