Ahmetaj: Ekonomia u rrit me 3.9% në 9 muaj – Investimet e huaja shkojnë sërish në 980 mln euro
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë debatit në Kuvend, ka mbrojtur rritjen ekonomike të vendit, e cila mbështetet sipas tij nga të dhënat mbi rritjen e konsumit me 3% dhe rritja e numrit të të punësuarve.
“Sot ekonomia shqiptare rritet me 3.9 % në 9 muajt e vitit 2017. Kjo është një e vërtetë që sado ta debatojmë, mund të debatojmë si ka qenë rishpërndarja, mund të debatojmë sa kanë përfituar shqiptarët e të gjitha shtresave, debat i frytshëm e i shëndetshëm do të ishte por, e vërteta është që ekonomia shqiptare është rritur 3.9 %. Ajo që thotë Banka e Shqipërisë, përtej qeverisë, përtej opozitës, përtej mazhorancës, është se ekonomia e vendit pritet të ndjekë një trajektore rritëse të qëndrueshme për periudhën në vazhdim, duke konverguar drejt potencialit. Pra, viti 2018 pritet të jetë një vit i mirë ekonomik dhe presupozohet që viti 2018 të mbyllë atë hendek apo diferencë të potencialit ekonomik në disa sektorë”, tha Ahmetaj.
Ndërkohë, duke iu referuar deklaratave për uljen e numrit të bizneseve në vend, Ahmetaj tha se të dhënat e QKB flasin për një rritje neto prej 14 mijë biznesesh të reja. Sipas ministrit, nga këto, 1292 janë biznese të reja të huaja, çka flet për rritjen e investitorëve.
Sa i takon investimeve të huaja në total, për 9-mujorin e vitit 2017, ato arritën në 678 milionë euro, shifër që sipas Ahmetaj do të thotë se për vitin ato do të kenë shkuar sërish në 980 milionë euro, duke hedhur poshtë akuzat për rënie të investimeve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.