Ahmetaj: Kurse kualifikimi falas për punëkërkuesit e papunë

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj ka zhvilluar sot një takim me mediat për të prezantuar treguesit ekonomikë financiarë. Sipas ministrit, ekonomia shqiptare po i afrohet gradualisht nivelit të potencialit. Ai tha konsumi privat dhe investimet po shkojnë në një rritje prej 4.2 për qind të planifikuar.
Lidhur me rritjen ekonomike për vitin 2017, Ahmetaj tha se ishte 3.8 -3.9 për qind, duke e cilësuar mbi nivelin e parashikuar jo vetëm nga qeveria, por edhe nga FMN, BERZH apo Banka Botërore.
Tremujori i katërt sipas Ahmetaj pritet të shoqërohet me një rritje në mbi 3.9 për qind.
“Tremujori i katërt parashikohet i mirë për sektorët dhe për shpenzimet. Do ta konsolidojmë rritjen mbi 3.9 për qind.”
Sa i takon sektorëve gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017, ministri tha se shumica e tyre erdhën në rritje, por u goditën nga thatësira.
“Energjia pati një rënie me mbi 30 për qind. Thatësira goditi jo vetëm energjinë, por të gjithë sektorin në total.”
Lidhur me punësimin, sipas të dhënave të paraqitura prej tij, papunësia ka shënuar një rënie me 13.6 për qind gjatë vitit 2017 dhe është rritur ndjeshëm pjesëmarrja nga forcat e punës.
Ahmetaj në fjalën e tij tha se qeveria po drafton një akt nën-ligjor për të detyruar të gjithë punëkërkuesit e papunë që përfitojnë ndihmë ekonomike ose ndihmë tjetër pasive që të ndjekin kurse kualifikimi. Këto kurse, sipas tij do të ofrohen falas.
“ Të mbështesim arsimin profesional. Qeveria po drafton një akt nën-ligjor për të detyruar të gjithë punëkërkuesit e papunë që përfitojnë nga ndihma ekonomike ose ndihmë tjetër pasive që të kalojnë me detyrim në kurse kualifikimi të cilët do të jenë falas që ta bëjmë atë grup sa më të punësueshëm duke përputhur aftësitë me nevojat në treg.”
Ministri u ndal gjithashtu edhe te projekti TAP dhe Devoll, për të cilat u shpreh se kanë pasur një efekt pozitiv duke ndikuar në rritjen ekonomike.
Sa i takon të ardhurave nga tatimet përfshirë kontributet, Ahmetaj tha se janë shoqëruar me një rritje prej 7.6 për qind. Ndërkohë, ai shtoi më tej se gjatë vitit 2017 janë regjistruar rreth 19 200 biznese të reja, ku 11 mijë prej tyre janë subjekte të huaja.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.