Ahmetaj për FDI Magazine: Në të ardhmen, fokusi te reformat lehtësuese për investitorët
Reformat lehtësuese për investitorët që vijnë në Shqipëri do të jenë edhe ndër reformat kryesore ku do të fokusohet qeveria në të ardhmen. Deklarata ka ardhur nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një intervistë të dhënë për FDI Magazine.
Sipas tij, Shqipëria ka një sistem të thjeshtë taksash, por nevojitet përmirësimi i administratës publike për të pritur investimet dhe investitorët. Ndërkohë, ka shtuar më tej se do të vijojë reforma në sistemin e Drejtësisë si dhe ajo për sigurinë ushqimore.
“Janë disa reforma që do të lehtësojnë investitorët që vijnë në Shqipëri. Njëra është reforma në administratën publike e cila vazhdon, për ta bërë administratën publike më të përgatitur për të pritur investimet dhe investitorët. Sistemi ynë i taksave është shumë i thjeshtë, por ne kemi nevojë të përmirësojmë administrimin. Reforma në sistemin e drejtësisë po avancon dhe pastaj është reforma që sapo kemi filluar, për sigurinë ushqimore”, tha Ahmetaj.
Po ashtu. Ministri Ahmetaj ka shprehur bindjen se tregu i punës do të ndryshojë tërësisht brenda një periudhë 4-10 vjeçare, si rezultat i energjisë dhe parave që po investohen në formimin dhe trajnimin profesional.
Ndërsa, i pyetur nëse Shqipëria do të vijojë përpjekjet dhe reformat në rast se nuk merr dritën jeshile për hapjen e negociatave, Ahmetaj është përgjigjur:
“Si mund të heqim dorë nga Europa? Ne jemi europianë në fund të ditës. Europa ka vendosur të vizatojë një hartë dhe thotë “ky brenda hartës është Bashkimi Europian”, por edhe jashtë saj, Shqipëria është një vend europian. Ju mund të mendoni se ne nuk i kemi bërë detyrat tona nëse nuk hapen negociatat, por ne besojmë se i kemi përmbushur ato. Por përtej debatit, kjo nuk na bën ne më pak europianë”.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.