“AI” për Shqipërinë – 20 mijë shqiptarë kërkojnë azil në BE, në burgje ka tortura

Amnesty International ka publikuar raportin e fundit të situatës së të drejtave të njeriut nëpër Botë. Në analizë merren 159 shtete në çdo cep të globit, dhe një prej tyre është edhe Shqipëria. Të dhënat i referohen ekskluzivisht vitit 2016.
Në këtë raport, në pjesën dedikuar Shqipërisë, Amnesty International nënvizon se, rreth 1000 refugjatë kanë bërë kërkesë për azil në vendin tonë, si pasojë e mbylljes së kufijve nga dy vendet fqinje, Maqedonia dhe Greqia.
Por nga ana tjetër, vlerësohet se, janë rreth 20 mijë shqiptarë ata të cilët kanë aplikuar për azil në një prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Pjesa dërrmuese e tyre i janë drejtuar Gjermanisë dhe janë kthyer si pasojë e listimit të Shqipërisë ndër vendet e sigurta të origjinës.
Ndër të tjera, Amnesty International flet për shkelje të të drejtave të minoriteteve rome dhe egjiptiane në vendin tonë, si dhe kushtet mjaft të këqija në burgjet shqiptare.
Madje në këtë pikë, organizata nënvizon se, rastet e torturës në burgje, madje edhe te minorenët, nuk janë të pakta.
Sa i përket situatës globale, Amnesty International, nënvizon se, ngjarja më e rëndë në arenën politike gjatë 2016-ës, në drejtim të të drejtave të njeriut është padyshim zgjedhja e Donald Trump në krye të shtëpisë së Bardhë. Retorika e tij raciste gjatë fushatës si dhe politikat diskriminuese që shkelin perimet e të drejtës civile, vlerësohen si një kërcënim i madh për globin sot.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.