Air Albania nis së shpejti operimin – Balluku: Brenda muajit mars do të fluturojë me kodin shqiptar ZA
Kompania ajrore Air Albania pritet të nisë fluturimet brenda muajit mars. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë intervistës në ERTV.
Sipas Ballukut, ka kaluar në mbledhjen e kësaj jave në qeveri edhe aprovimi i marrëveshjes financiare midis tre palëve të Air Albania dhe brenda muajit Air Albania do të fluturojë me kodin shqiptar ZA.
“Air Albania ka përfunduar shumë nga fazat të cilat kanë qenë faza të rëndësishme dhe të detyrueshme për t’u kaluar. Pra, faza e testimit, faza e trajnimit, faza e licencimit personelit dhe gjithçka ka përfunduar. Është bërë dhe marrëveshja financiare midis tre palëve dhe ka kaluar në mbledhjen e kësaj jave në qeveri aprovimi i kësaj marrëveshje. Brenda muajit mars Air Albania do të fluturojë me tashmë kodin shqiptar ZA, i cili është edhe kodi që identifikon në qiejt europianë si një flamur shqiptar”, deklaroi Balluku.
Ndërkohë, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, kryeministri Edi Rama shkruan:
“Sigurisht, edhe për kompaninë ajrore kuqezi, ngritja në fluturim me orë të plota brenda muajit mars të Air Albania, e cila pas shumë përgatitjesh dhe testimeve të suksesshme, do të mbajë kodin shqiptar ZA, që do ta identifikojë atë në qiellin europian si një flamur shqiptar🇦🇱.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.