Airbus konfirmon 2 marrëveshje – Do t’i shesë 430 avionë pronarit të Wizz Air dhe 50 një firme kineze

Airbus deklaroi se ka konfirmuar porosinë gjigante prej 49.5 miliardë dollarë, për të furnizuar firmën amerikane Indigo Partners me 430 avionë. Investitori veteran në linjat ajrore, Bill Franke, kreu i Indigo Partners, nënshkroi porosinë paraprake në shfaqjen ajrore të Dubait në Nëntor, që përfshin dërgesat e 274 avionëve të modelit A320neo, dhe 156 të A321neo.
Kjo marrëveshje përbën dakordësinë e vetme më të madhe të prodhuesit francez Airbus dhe do të ofrojë avionë për Wizz Air, Frontier Airlines, Jetsmart dhe Volaris të Meksikës. Indigo zotëron të katër këto kompani. Bill Franke deklaroi se marrëveshja do t’i japë konsumatorëve të linjave loë-cost, “akoma më shumë vlerë”.
Lista e çmimeve për avionët vlerësohet në 49.5 miliardë dollarë, megjithatë Airbus ka konfirmuar më parë se firma e kapitalit privat, Indigo Partners, nuk do ta paguajë atë çmim. Në një deklaratë tjetër në të njëjtën ditë, Airbus bëri të ditur se firma kineze, China Aircraft Leasing, ka rënë dakord të blejë 50 avionë të modelit A320neo, me një vlerë prej 5.42 miliardë sipas listës së çmimeve.
Prodhuesi francez i avionëve deklaroi se porosia e fundit e çon totalin për China Aircraft Leasing në rreth 200 avionë. Kompania kineze është operatori më i madh në vend dhe listohet në bursën e Hong Kongut.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.