Akademia e Arbitrimit në futbollin shqiptar, FSHF: Datat dhe kriteret e aplikimit

Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet sektorit përkatës të gjykimit ka tashmë gati edhe projektin e saj shumë prioritar, atë të Akademisë së Arbitrimit në Shqipëri. Kjo nismë do të ketë një mbështetje shumë të fuqishme nga ana e FSHF-së, si një nga tre prioritetet e këtij viti.
“Sektori i Arbitrimit ka planifikuar edhe datat për Kursin e Prezantimit dhe më pas, atë të Konsolidimit për të gjithë ata që do të regjistrohen në Akademinë e Arbitrimit. Shumë shpejt nëpërmjet njoftimeve publike të FSHF, gjithsecili që kërkon të jetë në një të ardhme në arbitrim do të gjejë edhe aplikacionin përkatës për regjistrim, sipas kritereve të përcaktuara nga ana e vetë e Sektorit”, thuhet në njoftimin e FSHF.
Ky projekt konsiston në rekrutimin e të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave të cilat kërkojnë të jenë pjesë e arbitrimit shqiptar në të ardhmen, sipas një programi të mirëpërcaktuar, si edhe programeve trajnuese nga Sektori përkatës.
Periudha e zhvillimit të Akademisë së Arbitrimit
Sipas FSHF, periudha e kursit të prezantimit do të zhvillohet nga datat 18-30 shtator 2017 ndërsa periudha e konsolidimit do të jetë nga data 08-18 janar 2018.
Kriteret e pranimit
Kriteret e pranimit për kandidatët janë:
– Të ketë mbushur moshën 14 (katërmbëdhjetë) vjeç dhe të mos ketë kaluar moshën 22 (njëzet e dy) vjeç.
– Të mos jetë përfshirë drejtpërdrejtë dhe/ose jo drejtpërdrejtë në trukimin dhe/ose influencimin e rezultatit të asnjë lloj ndeshje futbolli.
– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar dhe të rezultojë i padënuar për vepra penale në përputhje me nenin 69-të të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
– Të mos jetë dënuar ndonjëherë nga organet e disiplinës pranë FSHF-së për veprime dhe/ose mosveprime të lidhura me lëndë që ndryshojnë aftësitë fizike dhe/ose performancën natyrale të njeriut.
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.