AKBN nxjerr për eksplorim dy blloqe nafte. Investitorët e interesuar mund të aplikojnë për bllokun B dhe E

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka ndërmarrë një fushatë promovimi për blloqet e lira të kërkmit të naftës, teksa ka ofruar për eksplorim bllokun B dhe E në tokë. Blloku E përfshin një sipërfaqe prej rreth 700 km2, teksa në pjesën jugore kufizohet me bllokun Dumrea, ndërsa në veri me bllokun D të kërkimit. Ndërkohë që, sipërfaqja e Bllokut B është 776 km2, teksa në pjesën perëndimore kufizohet me detin Adriatik, ndërsa në lindje me bllokun D. Rreth 3 muaj më parë edhe kompania Albpetrol nxorri për shprehje interesi 2 fusha të lira gazi për të gjithë investitorët që duan të ushtrojnë aktivitet në këtë sektor. Sipas njoftimit, çdo palë e interesuar mund të aplikonte për fushën e Povelçës dhe Frakullës, që janë nën administrim nga kompania shtetërore. Kjo ishte hera e parë, pas shumë vitesh që Albpetrol nxorri për shprehje interesi fushat e lira që ka në administrim, ndërkohë që më herët edhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ndërmori një tjetër fushatë promovimi për blloqet e lira të kërkmit të naftës, teksa ofroi për eksplorim bllokun C, bllokun Panaja dhe bllokun Dumrea. Ndërkohë që, pas kësaj fushate u arrit të nënshkruhej marrëveshja me kompaninë italiane ENI, për nisjen e operacioneve të kërkimit në bllokun Dumrea. Më herët, AKBN ndërmoi procedura të ngjashme edhe për bllokun C, për të cilin pati një shprehje interesi, por nënshkrimi i marrëveshjes hidrokarbure nuk u arrit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.