AKM: Tirana qyteti më i ndotur – Beqiraj: Buxheti i pamjaftueshëm, duhen 250 mln lekë
Tirana vijon të mbetet qyteti më i ndotur nga ajri dhe zhurmat në rang vendi e ndjekur nga Fieri, Lushnja dhe Lezha. Ky është rezultati i raportit të gjendjes së mjedisit për 2016-ën, i prezantuar nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiraj.
Kreu i kësaj agjencie theksoi se, për kryerjen e monitorimeve duhet një buxhet prej 250 milionë lekësh, ndërkohë që nga viti në vit buxheti është në rënie.
“Janë vënë re dhe 3 qytete potencialisht të ndotura, pra janë Fieri, Lushnja dhe Lezha. Tirana vazhdon të mbetet qyteti më i ndotur. Analiza bëhet në dy pika, pra jo vetëm për nivelin maksimal që mund të ketë PM10 (grimcat e pluhurit) në atë zonë, por edhe numri i ditëve, se sa ditë në një vit kalendarik është qyteti i ndotur.
Me keqardhje them se buxheti nga viti në vit ka rënë. Kjo si duket na ka motivuar më shumë për të punuar më shumë vullnetarisht. Tabela e fundit janë kostot që duhet të na mbulohet nga buxheti i shtetit, pra 250 milionë, ndërkohë në vitin 2014 kemi 30.98, në 2015-ën 30.1, në 2016-ën 25.44. Buxheti i vitit 2017 është akoma më i ulët: 18.93”
Beqiraj bëri të ditur edhe situatën sa i takon menaxhimit të mbetjeve urbane, ku i vetmi qytet që ka përmirësim nga viti i kaluar është Tirana.
“Është për të ardhur keq. Ndarja e re administrative duhet të sillte një panoramë më ndryshe të cilësisë së lumenjve nga kontaminimi me mbetje urbane. Pra, bashkitë duhet të punonin më mirë në këtë drejtim. Vlen për të thënë se në Tiranë situata është më e përmirësuar, por jo në të gjithë bashkitë e tjera”, tha Beqiraj.
Rezultatet e ndotjes akustike, sërish e radhisin në vend të parë kryeqytetin me një ndotje prej 17.23% mbi normën e lejuar, 55 Db ditën dhe 45 Db natën, ndërsa më pak të zhurmshëm janë Fieri dhe Saranda.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.