Aksesi në kreditim – Banka Botërore: Ndryshimet ligjore, pozitive

Shqipëria ka përmirësuar aksesin në kreditim përmes ndryshimeve legjislative, që synojnë të lehtësojnë mbledhjen e kredive të këqija.
Raporti “Doing Business 2018” i Bankës Botërore nënvizon si një nga arritjet kryesore të Shqipërisë për këtë vit ndryshimet në Kodin Civil, në Ligjin për Barrën Siguruese, si dhe miratimit të Ligjit të ri mbi Falimentimin.
Sipas Bankës Botërore, përmirësimet kryesore konsistojnë në faktin se tashmë barra siguruese mund të vendoset mbi çdo lloj pasurie të luajtshme, përfshirë ato materiale dhe jomateriale. Ndërkohë, sipas ligjit të ri për falimentimin, kreditorëve të garantuar u jepet prioritet absolut në procedurat e falimentimit.
Rritja e aksesit në kreditim është ndër të paktat nota pozitive në renditjen “Doing Business”, ku Shqipëria ka rënë me shtatë vende nga viti i kaluar. Banka Botërore ka vlerësuar disa herë se përmirësimi i kuadrit ligjor për mbledhjen e borxheve të këqija është thelbësot në lehtësimin e kreditimit dhe në përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Këtë vit, Shqipëria po arrin rezultate të mira në uljen e kredive me probleme, që kanë zbritur në 15.2% të totalit, niveli më i ulët i gjashtë viteve të fundit. Gjithashtu, kreditimi ka nisur të japë sinjale pozitive në gjysmën e dytë të vitit, duke u rritur për tre muaj radhazi.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.