Aksionet pro jetës- ISHSH intensifikon kontrollet për shkelësit e ligjit
Çdo subjekt tregtar që shet pije alkoolike tek të miturit do të gjobitet nga Inspektorati Shëndetësor Shtetëror. Pas raportit më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik ku dy në tre të mitur kanë konsumuar alkool, ISHSH ka intensifikuar punën me kontrolle në terren duke vendosur edhe gjoba që variojnë nga 20 mijë në 30 mijë lekë.
“Inpektoriati Shtetëror Shëndetësor do të ndërhyjë në të gjitha ato lokale, bare, restorante dhe klube nate, të cilat do të kenë si frekuentues të rregullt të rinjtë dhe ato subjekte që ofrojnë alkool falas ose nuk kontrollojnë, kryesisht te klubet e natës, atëherë do të gjobiten nga ana jonë dhe ligji e përcakton nga 20 deri në 30 mijë lekë të reja”, shprehet Deda.
Në një intervistë për televizionin SCAN, kryeinspektori Deda është shprehur se vijon puna në terren sa i përket ndalimit të duhanit në ambientet e mbyllura. Deri më tani numërohen më shumë se 1400 gjoba të vendosura në të gjithë vendin.
“Ne jemi dhe do të vazhdojmë në mënyrë të pandërprerë luftën për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, do vazhdojmë “luftën” me të gjitha ato subjekte të cilat shkelin ligjin. Që nga momenti që është krijuar Inspektorati Shtetëror Shëndetësor janë rreth 1300-1400 masa administrative të marra nga ana jonë”, theksoi kreu i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor.
Fokusi kryesor i inspektimeve që kryen ISHSH është në institucionet shëndetësore dhe ka si qëllim përmirësimin e çdo shërbimi shëndetësor. Aktualisht ISHSH është duke kryer inspektime në spitalet rajonale.
“Ne jemi duke inspektuar spitalet rajonale ato publike por jo vetëm këto, edhe ato jo publike. Situata nga ajo se çfarë kemi gjetur herën e parë dhe detyrat që kemi lënë, ai raporti i nxjerrë nga ana jonë me problematika të mëdha ose jo, atje ku nuk ka patur problematika ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të jetë e fokusuar pikërisht atje ku ne e kemi të nevojshme për të investuar”, shprehet Deda.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.