Aksioni i AKU – Asgjëson mbi 2 ton mish e peshk në landfillin e Sharrës
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, asgjësoi sot 2315,4 kilogramë mish, peshk dhe qoftë në landfillin e Sharrës, të sekuestruara gjatë aksionit të ditëve në fundit në Qarkun e Tiranës.
Mishi, peshku dhe qoftet janë bllokuar nga AKU gjatë inspektimeve në pika therjeje dhe njësi tregtimi, pasi janë gjetur pa vulën e veterinerit si dhe certifikatën e origjinës.
Deri më tani nga aksioni i AKU për të rritur standardet e sigurisë ushqimore, janë mbyllur 73 njësi therjeje, nga të cilat 11 ishin ilegale, në anekse dyqanesh mishi, 3 pa QKR dhe 1 në aneksin e një subjekti që kishte si fokus një tjetër natyrë biznesi. Gjithashtu, AKU ka bllokuar edhe 11 thertore, që nuk plotësonin standardet për të qenë të tilla, 73 njësi tregtimi mishi (dyqane), 6 dyqane peshku, 1 bulmeti dhe 1 treg produktesh ushqimore.
Ndërkohë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka bllokuar një magazinë në njësinë administrative Sukth, në të cilën përpunoheshin dhe tregtoheshin produkte ushqimore në mënyrë të paligjshme.
Gjatë inspektimit ka rezultuar se subjekti nuk dispononte licencë për prodhim dhe përpunim produktesh ushqimore, që iu gjendën në magazinë. Sasia e produkteve ushqimore të gjendura në magazinë ishin 2624 litra vaj ulliri dhe vaj misri, si dhe 22 ton produkte ushqimore, si salcë domatesh, turshi gogozhare, reçel qershie, komposto kumbulle, etj.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.