Aksioni anti-informalitet/ Kryhen 265 kontrolle, penalizohen 80 biznese. Tatimet: Bllokohen 8 subjekte. Masat ndëshkuese për mos lëshim të kuponit tatimor
Administrata Tatimore po vijon me kontrolle në çdo subjekt që ushtron aktivitet tregtar, për zbatimin e ligjit dhe garantimin e kushteve për konkurrencë të ndershme, në luftën kundër evazionit dhe informalitetit.
Strukturat e zbatimit Task-Forcë të Drejtorisë së Hetimit Tatimor kanë ushtruar kontrolle në Tiranë, në zbatim të planit anti-informalitet.
“Gjatë kontrolleve janë konstatuar problematika për mos lëshim të kuponit tatimor, punonjës të padeklaruar apo subjekte të pa licencuara. Janë bllokuar 6 bare dhe restorante për mos lëshim kuponi tatimor (hera e dytë) si dhe janë bllokuar dy subjekte tregtare që ushtronin aktivitet të pa licencuar, ku nga 265 kontrolle të realizuara 80 prej tyre janë penalizuar”.
Masat ndëshkimore për mos lëshimin e kuponit tatimor
Masat ndëshkimore për mos lëshimin e kuponit tatimor janë si më poshtë:
Mos lëshim kuponi hera I-rë : Penalitet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit.
Mos lëshim kuponi hera II-të: Penalitet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe në këtë rast merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike.
Mos lëshim kuponi hera III-të: Penalitet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe konsiderohet evazion tatimor duke e kallëzuar subjektin penalisht. Gjithashtu, publikohet emri i tatimpaguesit, NIPT-i dhe emri i përfaqësuesit të biznesit në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve;
“Administrata Tatimore i bën thirrjeve të gjithë subjekteve tregtare të zbatojnë ligjin dhe të lëshojnë kuponin tatimor për çdo shitje/transaksion që kryejnë!”
os.de/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.