Aksioni anti-informalitet mbyll javën e 11-të – Mbi 1000 punonjës të padeklaruar
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar raportin e mbylljes së javës së 11-të të aksionit kundër informalitetit. Nga të dhënat, rezulton se është kryer përfundimi i 16 739 kontrolleve, ku si në javët e kaluara, kontrollet nga zyra kanë edhe përqindjen më të lartë.
Ndërkohë, subjektet të cilët kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore janë 1 567 të tilla. Sa i takon verifikimeve në territor, sipas DPT-së janë verifikuar 26 618 subjekte, ku 19.5 për qind e tyre kanë rezultuar me shkelje, duke sjellë kështu penalizmin e tyre.
Gjatë këtyre njëmbëdhjetë javëve të aksionit anti-informalitet, në skemën e sigurimeve shoqërore janë futur 1 003 punonjës të konstatuar të padeklaruar. Po ashtu janë mbyllur edhe 557 subjekte për shkak të mos regjistrimit në organet tatimore si dhe moslëshim të kuponit.
Sa i takon mbledhjes së detyrimeve të prapambetura, nga të dhënat rezulton se kanë reaguar pozitivisht 3 193 subjekte dhe vlera e tyre arrin në 2 miliardë e 628 milionë lekë.
Ndërkohë, si rezultat i procesit të fshirjes së detyrimeve për periudhën para vitit 2010 dhe atë 2011 -2014, shuma e detyrimit të falur kap shifrën 18 392 miliardë lekë. Ndërsa përdorimi i kredisë për shlyerje të detyrimeve në nivel principali rezulton të jetë në vlerën 1 864 miliardë lekë.
Nga të dhënat, rezulton se Shërbimi i Tatimpaguesve ka asistuar ballë për ballë 73 081 tatimpagues dhe janë kontaktuar rreth 11 586 të tillë për ligjin e faljes.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.