Aksioni në rrugët e Tiranës – Policia pezullon 117 patenta, mbi 3 mijë gjoba të vendosura
Policia e shtetit ka njoftuar se gjatë javës së kaluar rrugoret e kryeqytetit kanë vijuar me ndjekjen e detyrimeve të caktuara në planin e veprimit për mjetet me xhamat e portave të para të errësuar, sistemet shtesë pamore dhe zanore si dhe patrullimet me përzgjedhje për parandalimin, konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve të ndryshme që janë burim aksidentesh.
Sipas njoftimit, në funksion te planit të veprimit, përgjatë javës janë konstatuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 17 shtetas, nga të cilët 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 8 të pa pajisur me leje drejtimi si dhe 2 drejtues mjeti për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjithashtu janë hequr edhe 117 leje drejtimi, nga të cilat 33 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 39 për shpejtësi mbi normat e lejuara si dhe 45 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia ka proceduar administrativisht 17 drejtues mjetesh për mos rregullim shpejtësie, gara me shpejtësi dhe ka proceduar administrativisht 56 drejtues mjetesh për xhamat e portave të para të errësuar.
Sipas njoftimi janë proceduar administrativisht 2 drejtues mjetesh për posedim të sistemeve shtesë pamore dhe zanore, janë proceduar administrativisht 425 drejtues mjetesh për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit dhe janë proceduar administrativisht 121 drejtues moto mjetesh për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.
Policia ka marrë masa administrative edhe për 78 drejtues mjetesh, për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve dhe ka vendosur më shumë se 3 mijë gjoba për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.