Aksioni për qumështin, ja si do të funksionojë në terren! Flet zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ilir Halilaj
Si do të funksionojë në terren reforma në industrinë e përpunimit të qumështit? Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ilir Halilaj ka sqaruar në detaj se ku do të përqendrohet aksioni, si do të jepet mbështetja direkte për fermerët dhe sa janë kapacitetet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për ta monitoruar në këtë proces.
Si do të funksionojë aksioni në industrinë e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij?
Jemi ndër vendet që nuk mund të eksportojmë produkte shtazore në Bashkimin Europian për arsye se këto produkte nuk plotësojnë standardet që kanë të bëjnë me cilësinë, por edhe me sigurinë ushqimore. Ka dy elementë përbërës ky aksion. Elementi kryesor është mbështetja që do t’u jepet pikave të grumbullimit, përpunimit dhe fermave të prodhimit të qumështit për të rritur standardet e zinxhirit të qumështit në secilin prej këtyre sektorëve. Pra, çështja e financimit.
Sa do të jetë financimi dhe cilat do të jenë kategoritë përfituese?
Kjo është pjesë e paketës së skemave mbështetëse për 2018-ën dhe kategoritë që do të përfitojnë nga kjo janë fermerët, grumbulluesit e qumështit si pjesë e zinxhirit të vlerës së qumështit, janë gjithashtu edhe përpunuesit. Do mbështeten specifikisht ato elementë që garantojnë sigurinë ushqimore apo higjienën e qumështit. Për fermat do mbështesim mekanizimin e procesit të mjeljes, që garanton higjienën në mjelje, do mbështesim grumbulluesit me tanke dhe sisteme ftohës për ruajtjen e qumështit në kushte optimale përpara se të shkojë në fabrikat e përpunimit, gjithashtu do të mbështeten edhe pikat e përpunimit me sisteme ftohëse që të kenë mundësi që qumështin që marrin të ruajë atë optimalitet nga ferma deri në përpunim. Në lidhje me subvencionin e qumështit me kualitet të lartë 10 lekë/litër, ne kemi menduar që qumështi i dorëzuar në pikën e grumbullimit ose në fabrikë direkt nga fermeri, të analizohet në laboratorët e tyre dhe këto analiza të paraqiten së bashku me faturën që fermeri të marrë kompensimin.
Pra, do të jetë fabrika ajo që do të kryejë analizat e qumështit që merr nga fermeri?
Do të jetë fabrika ajo që do të kryejë analizat e qumështit dhe këto analiza do të verifikohen pastaj nga laboratorët e AKU dhe ISUV. Fabrikat kanë kapacitetet për të kryer këtë vlerësim, AKU gjithashtu e ka këtë kapacitet dhe një koordinim i mirë i punës me këtyre dy grupeve, do na japë atë rezultat që ne presim, që të rritet sasia e qumështit me cilësi të lartë e dorëzuar në fabrikë. Fabrikat do të jenë përfituesit në një farë mënyre të të gjithë aksionit dhe që kanë interes që produkti i tyre të jetë sa më i mirë. Por gjithashtu edhe fabrikat janë pjesë e këtij zinxhiri, kështu që edhe ato duhet të plotësojnë standardet dhe kushtet e tyre, do të jenë edhe ato subjekt i monitorimit nga AKU për atë pjesë të standardeve që duhet të plotësojnë.
Aktualisht nuk eksportojmë asnjë ndër produktet e qumështit?
Qumësht jo, por eksportojmë disa nënprodukte. Këto janë iniciativa goxha të shtrenjta të kompanive të ndryshme që arrijnë t’i kryejnë analizat në laboratorë të veçantë në vende të Bashkimit Europian. Pra si qëllim i kësoj reforme është edhe zgjerimi me tregjet e huaja, eksporti, pasi kapacitetet në vend janë për të prodhuar produkte të cilësisë së tillë.
Sa i përket skemave mbështetëse kombëtare, a janë më të thjeshtëzuara procedurat këtë vit?
Këtë vit mund të themi që janë më të thjeshtëzuara. Aplikimi do të kryhet me zero dokumente që është një risi për këtë vit, besojmë se çdo fermer qoftë në bujqësi, blegtori, peshkim do ta gjejë veten në një skemë tek e cila mund të aplikojnë. Inkurajojmë të gjithë fermerët që të paraqiten për të bërë aplikimet për këto skema. Përfituesit më pas do të paraqiten me një numër shumë të reduktuar të dokumenteve për të plotësuar deklarimin që ata kanë bërë gjatë periudhës së aplikimit, besojmë që do të kemi një pjesëmarrje të lartë të fermerëve.
Cila është hallka më problematike e kësaj industrie dhe që duhet stabilizuar me patjetër?
Fragmentarizmi i fermës në fakt është një nga problemet kryesore në këtë industri. Është shumë e kollajtë që qumështi të milet me standardet e duhura në një fermë që mund të ketë 10-50 lopë sesa në një fermë që ka 1 ose 2 lopë, ku edhe mundësitë për ta çuar qumështin me kontenierë të veçantë apo të certifikuar në pikat e grumbullimit, janë më të vogla. Kështu që, ky fragmentarizim shkakton një lloj problemi në këtë zinxhir. Patjetër, ne kemi masa preferenciale për fermat e mëdha. Kemi gjithashtu masa preferenciale për bashkëpunimin e fermerëve, pra kur prodhimi dorëzohet nga grupe fermerësh, apo kur fermerët janë pjesë e shoqatave të bashkëpunimit bujqësor. Pra, preferencialiteti i përfituesve, është sa më i lartë kooperimi aq më i lartë përfitimi.
Elisabeta Dosku/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.