Aksioni për ujin e pijshëm – Ndërpriten 169 lidhje të paligjshme, vendosen 41 gjoba
Grupet e Task-Forcës për ujin e pijshëm gjatë aksionit në kryeqytet, në 24 orët e fundit kanë identifikuar dhe shkëputur 169 raste të lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku uji i pijshëm përdorej për ujitje.
Sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës , Task –Forca, gjatë kësaj kohe ka vendosur 28 gjoba për familjarë dhe 13 për biznese të ndryshme. Në total, numri i prerjeve të lidhjeve të paligjshme ka shkuar në mbi 700 raste, një pjesë e të cilave u janë referuar organeve ligjzbatuese të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.
Si pasojë e masave të marra nga Bashkia e Tiranës dhe ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime, janë lidhur 82 kontrata të reja për ujin e pijshëm si dhe 21 aktmarrëveshje. Gjithashtu, janë vendosur edhe 161 matëse uji.
Qytetarët kanë në dispozicion dy numra telefoni, të Ujësjellësit të Tiranës dhe atë të Bashkisë së Tiranës, për të raportuar problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, apo të denoncojnë rastet e abuzimit të cilat dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.