Akti normativ i buxhetit, jo vetëm “anti-tërmet”! 450 mln lekë shtesë për policët, 1 mld për Bypass-in e Fierit dhe 1 mld për bulevardin e Tiranës

Pak ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi aktin normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2019, për të përballuar pasojat e tërmetit të 21 shtatorit. Megjithatë, ndryshimet shkojnë përtej përballimit të problemeve që shkaktoi tërmeti.
Akti është depozituar në Kuvend dhe ndër të tjera, ndryshimet sigurojnë financimin për disa zëra sensitivë të shpenzimeve korente, si fondi rezervë, skema e fermerëve, skema e PAK-ut, arsimi i lartë, rendi, mbrojtja, etj.
Më konkretisht:
– Ministria e Brendshme përfiton 450 milion lekë për orët jashtë orarit për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ushqim & orë pune FNSH/kursantët, si edhe 30 milion lekë për pagat e Gjendjes Civile;
-Ministria e Mbrojtjes përfiton shtesë 120 milion lekë për mirëmbajtjen e sistemit ‘Palantir’ dhe 330 milion lekë për misionet jashte vendit
– Ministria e Shëndetësisë përfiton 300 milion lekë për skemën e PAK-ut, si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin, dakordësuar në janar 2019.
– Ministria e Arsimit përfiton 300 milion lekë për Arsimin Bazë, si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin, dakordësuar në janar 2019;
– Ministria e Bujqësisë përfiton 200 milion lekë për Skemën e Fermerëve, për kompensimin e çmimit të qumështit.
Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës përfiton 1 miliardë lekë financim i huaj për të mundësuar avancimin e punimeve në By-Pass-in Fier dhe përfundimin e një krahu të rrugës dhe 370 milionë lekë shpronësimet në objektet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
-Fondi Shqiptar i Zhvillimit përfiton 800 milionë lekë për avancimin e projekteve kryesore të programeve të zhvillimit.
– Ministria e Kulturës përfiton 200 milionë lekë për shtimin e ritmit të punimeve për rikonstruksionin dhe pajisjet e godinës së TKOB, për të mundësuar përfundimin e këtij projekti të rëndësishëm brenda afateve të parashikuara.
– Ministria e Bujqësisë përfiton 200 milionë lekë për vazhdimin e financimit të projekteve me fokus mbrojtjen e argjinaturave lumore, dhe sistemin e kanaleve ujitëse
– Ministria e Financave përfiton shtesë 125 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për “Polin e Drejtësisë”.
– Ministria e Shëndetësisë përfiton shteë 90 milionë lekë për “Rikonstruksionin e godinës së Maternitetit të Vjetër”.
– Bashkia Tiranë përfiton shtesë 1 miliardë lekë për avancimin e punimeve për projektin e “Bulevardit Verior dhe Rehabilitimit të Lumit të Tiranës”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.