Aktivitetet kulturore, në tre muajt e parë vetëm ¼ e shfaqjeve – Teatri Eksperimental mban gjallë kulturën

Shqiptarët kërkojnë shfaqje kulturore por institucionet ulin numrin e tyre. Këtë tregojnë statistikat e fundit të INSTAT për jetën kulturore në vendin tonë.
Në periudhën Janar-Shkurt-Mars janë realizuar vetëm 213 shfaqje, krahasuar me 286 shfaqje në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë shfaqjet e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të cilat kanë shënuar uljen më të madhe, me vetëm 12 shfaqje, kundrejt 40 shfaqjeve në T1 2016.
Edhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka reduktuar ndjeshëm numrin e projeksioneve filmike, duke e çuar në 8 shfaqje nga 43 të tilla një vit më parë.
Institucioni kulturor që mban peshën më të madhe të jetës kulturore në vend duket se është vetëm Teatri Kombëtar Eksperimental, i cili ka realizuar 102 shfaqje, të ndjekura nga 13,647 spektatorë, numër në rritje prej gati 10%.

Në këtë mënyrë Teatri Eksperimental bëhet edhe institucioni kulturor më i ndjekur, duke lënë pas Teatrin Kombëtar me vetëm 12,310 spektatorë.
Pas tij, vetëm Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, është institucioni i vetëm që ka shënuar rritje në numrin e spektatorëve me 38,3%, në 7918.
Në total, prezenca e publikut në jetën kulturore ka pësuar një rënie prej 14,3%, ndërsa numri i limituar i shfaqjeve ka detyruar të rrisë pjesëmarrjen mesatare në 203 spektatorë/vizitorë për shfaqje.
Sakaq, Instituti i Statistikave ka publikuar të dhëna edhe për frekuentimin e Bibliotekës Kombëtare. Numri i botimeve të afishuara në këtë institucion ka arritur në 4,874, ose 11,6% më shumë se një vit më parë, nga ku 927 janë tituj të rinj.
Megjithatë numri i frekuentuesve pranë BK ka shënuar një rënie me 1/3, duke u ulur në 35,707 lexues, krahasuar me gati 52 mijë për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.