Aktivitetet për Vitin e Skënderbeut – Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përfiton fondin shtesë prej 35 mln lekësh
Qeveria ka shtuar fondin prej 35 milionë lekësh Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për projektet dhe aktivitetet në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2018.
Kjo vjen pas shtesës së fondit me vlerë 60 milionë lekë të përfituar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Vendimi është miratuar sot nga Këshilli i Ministrave, i cili ka ngarkuar Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e tij. Kjo shtesë fondi do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shteti për vitin 2018 dhe do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
Ky fond shtesë mund të përdoret edhe për ndërtimin e godinës së re të Arkivit Qendror të Shtetit në Shkozë, e cila do të strehojë rreth 48 826 kuti arkivimi.
Gjatë këtij viti, qeveria ngriti edhe një Komision të Posaçëm për organizimin dhe promovimin e këtij viti, që përkon me 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.
Në këtë kuadër, edhe Banka e Shqipërisë ka emetuar 3 monedha ari me vlerë emërore 200 Lekë në metal ar, 100 Lekë me metal argjend dhe 50 Lekë në metal të thjeshtë.
Ndërkohë, gjatë vitit 2017 u harxhuan rreth 15 milionë lekë të reja në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot- Skënderbeut.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.