Aktiviteti i bizneseve në Eurozonë – Fuqizohet në T1, tregon për një rritje me 0.6% të ekonomisë
Bizneset në Eurozonë po e mbyllin tremujorin e parë në aktivitetin më të shpejtë në 6 vite, për t’iu përgjigjur kërkesës së madhe që vjen pavarësisht rritjes së çmimeve.
Indeksi PMI, që formulohet nëpërmjet sondazheve drejtuar mijëra bizneseve, u rrit në 56.7 pikë, në nivelin më të lartë që prej muajit Prill 2011. Sipër 50 pikëve, ky indeks tregon për një rritje të ekonomisë.
Këto të dhëna, të ofruara nga kompania britanike Markit, ka gjasa të sjellin optimizëm te Banka Qendrore Europiane. Ekonomistët e Markit thonë se ekonomia e Eurozonës po fuqizohet në mënyrë të qëndrueshme.
Në takimin e muajit Mars, Banka Qendrore Europiane deklaroi se do të mbajë programin e blerjes së titujve të borxhit të paktën deri në fund të këtij viti. Megjithatë, institucioni do të reduktojë blerjet mujore nga 80 miliardë euro në muaj, në 60 miliardë.
Inflacioni arriti 2% në muajin Shkurt dhe indeksi PMI tregon për një rritje me 0.6% të ekonomisë së Eurozonës në tremujorin e parë.
Banka Qendrore Europiane po merr sinjale nga të gjitha anët që të fillojë normalizimin e politikave monetare.
Nën-indekset e Markit për fabrikat dhe shërbimet treguan gjithashtu një shifër pozitive, duke sugjeruar se vrulli ka gjasa të vazhdojë edhe në muajin Prill.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.