Aktiviteti i biznesit në Eurozonë – Firmat përballen me kërkesë të madhe, rritja për T2 pritet e fortë
Biznesi në Eurozonë ka mbajtur vrullin edhe në muajin Maj, ndërkohë që firmat janë përballur me një kërkesë të fortë, gjë që tregon se rimëkëmbja e ekonomisë do të vazhdojë përgjatë vitit. Indeksi PMI, që shihet si një nga treguesit më të saktë të rritjes ekonomike, shënoi nivelin më të lartë në 6 vite, në 56.8 pikë.
Niveli i 50 pikëve, ndan ekspansionin nga tkurrja. Sipas analistëve, rezultati është gjerësisht pozitiv dhe sugjeron se rritja ekonomike në tremujorin e dytë do të jetë përsëri e fortë. Indeksi PMI tregon për një rritje me 0.7% në tremujorin e dytë, krahasuar me 0.5% që rezultoi në të parin dhe sipër projeksioneve prej 0.4%.
Kërkesa e madhe ka sjellë aktivitetin më të fortë të firmave në 6 vite. Edhe fabrikat përreth zonës së valutës së përbashkët kanë pasur një performancë më pozitive se sa pritej. Sipas kreut të kompanisë që ndërmerr sondazhet, të dhënat tregojnë se nuk pritet ndonjë ngadalësim i fortë nga ky nivel.
Vetëm sektori i shërbimeve ka pasur një tërheqje të lehtë, me indeksin që ranë 56.2 pikë nga niveli rekord që shënoi në Prill.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.