Aktiviteti i fabrikave në Kinë – Bie në nivelin më të ulët në 6 muaj, për shkak të hekurit e çelikut

Aktiviteti i fabrikave në Kinë është ngadalësuar në muajin Prill, tregojnë sondazhet zyrtare, ndërkohë që çmimet e prodhimit kanë rënë dhe përpjekjet e politikëbërësve për të trajtuar rreziqet financiare kanë dëmtuar kërkesën.
Indeksi që mat performancën e këtij sektori ra në nivelin më të ulët në 6 muaj në 51.2 pikë, tregon zyra e Statistikave. Analistët e lidhin performancën e dobët me rënien e çmimeve të hekurit dhe çelikut.
Sondazhi ka treguar gjithashtu një rënie në sektorin e shërbimeve.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit me 6.9% në tremujorin e parë, sipër projeksioneve, nxitur nga shpenzime e mëdha shtetërore në infrastrukturë dhe performancës së fortë të sektorit të ndërtimit.
Megjithatë, norma pritet të ngadalësohet ndërkohë që autoritetet përpiqen të përmbajnë rreziqet financiare. Banka Qendrore e Kinës pritet të rrisë normat afat-shkurtër të interesit dhe të shtojë mbikëqyrjen në sektorin financiar.
Analistët thonë se rritja e Produktit të Brendshëm Bruto në Kinë mund të ketë arritur nivelin më të lartë të këtij viti për tremujorin e parë. Qeveria ka caktuar objektiv një rritje me 6.5% për të gjithë 2017-ën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.