Aktiviteti tregtar në Gjermani – Sufiçiti zgjerohet, eksportet “injorojnë” euron e fortë
Aktiviteti tregtar në Gjermani është përshpejtuar në muajin Gusht, ndërkohë që eksportet kaluan importet, duke zgjeruar sufiçitin tregtar dhe shtuar provat që ekonomia më e madhe e Europës do të ketë performancë të fortë në tremujorin e tretë.
Eksportet, e përshtatura ndaj efekteve sezonalë, u rritën me 3.1% gjatë muajit, ndërsa importet u rritën me 1.2%. Treguesi për eksportet ishte më i larti në 12 muaj, duke zbutur shqetësimet se fuqizimi i euros mund të cënojë shitjen e mallrave dhe shërbimeve gjermane jashtë vendit.
Të dhënat tregojnë se ekonomia gjermane, që është motori i rritjes së Eurozonës, pritet të rezultojë në një rritje të fortë për tremujorin, pavarësisht pasigurive në lidhje me përbërjen e qeverisë së re.
Ndërsa analistët thonë se tregjet dhe Banka Qendrore Europiane kanë diskutuar mbi fuqizimin e euros, Gjermania po përfiton nga një rimëkëmbja e fortë e eksporteve. Të dhënat mbi ekonominë dhe sondazhet e ndërmarra mbi bizneset dhe konsumatorët, tregojnë për një rritje të fortë në periudhën Korrik-Shtator si dhe për të gjithë 2017-ën.
Përveç tregtisë, edhe industria gjermane është në vrull. Prodhimi industrial tregoi rritjen më të madhe mujore në gjashtë vite për Gushtin.
Sufiçiti tregtar u zgjerua në 21.6 miliardë euro, sipër projeksioneve për 20 miliardë. Sufiçiti më i gjerë i llogarisë korrente, që mat fluksin e mallrave, shërbimeve dhe investimeve, ra në 17.8 miliardë euro, krahasuar me 19.6 miliardë, që ishte norma e rishikuar për Korrikun.
Ekonomia gjermane u rrit me 0.7% në tremujorin e parë dhe me 0.6% në të dytin, prej konsumit privat dhe shpenzimeve shtetërore.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.