Aktivizohet diplomacia ekonomike – Bushati takon në Estoni “ajkën” e BE
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati është takuar në Tallin të Estonisë me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian për politikën e jashtme Federica Mogherinin, komisionerin për zgjerim Johannes Hahn, ministrat e jashtëm të vendeve kandidate, si dhe ata të vendeve të unionit.
Takimi është zhvilluar në kuadër të takimit informal të ministrave të mbrojtjes dhe ata të jashtëm të Bashkimit Europian.
Takimi është zhvilluar ditën e enjte dhe të premte. I pranishëm në Tallin të Estonisë së bashku me rreth 50 ministra ka qenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg. Estonia mban aktualisht presidencën e radhës së Bashkimit Europian.
Veç Bushatit, me Federica Mogherinin janë takuar edhe ministrat e Jashtëm të Maqedonisë, Malit të Zi, dhe Turqisë ndërkohë që Serbia është përfaqësuar në takim me ministrin e Integrimit dhe jo atë të Jashtëm.
Në takimin me vendet kandidate ka qenë i pranishëm edhe Komisioneri europian për punën, rritjen, investimet dhe konkurrueshmërinë, Jyrki Katainen, ai për zgjerim Johannes Hahn, si dhe Elzbieta Bienkowska, komisionerja europiane për tregun e brendshëm, industrinë, sipërmarrjen dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.