AKU bllokon rreth 46 ton produkte të importuara nga Brazili, dhe gjobit me 5.25 milion lekë tre supermarkete në Tiranë
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit si rrjedhojë e një kontrolli në PIK Durrës ka bllokuar dy ngarkesa me produkte importi me origjinë nga Brazili dhe destinacion Shqipërinë nga ku rezultoi: 27 ton “Fileto pule” me ngarkesë mikrobiologjike dhe 19.2 ton “Kafe kokërr e papjekur” me mangësi në dokumentacionin shoqërues.
Gjithashtu Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë ushtroi kontroll në 3 subjekte me aktivitet “Supermarket”, nga ku u konstatua: importim i produkteve ushqimore në kundërshtim me ligjin, ushtrim aktiviteti i palicencuar, kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare, mangësi në dokumentacion, veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit, tregtim i produkteve me afat përdorimi të kaluar, si dhe etiketim i produkteve jokonform ligjit.
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese ka ndërmarre 9 masa administrative “Gjobë” me vlerën totale 5.25 milion lekë për 3 subjektet në Tiranë.
Si dhe “Tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu” të importuar në kundërshtim me ligjin, dhe “Kthimi në vendin e origjinës” për 46.2 ton produkte importi të vlerësuar si të pasigurta për konsum human.
Nebi Xhomaqi / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.