AKU informon operatorët e biznesit ushqimor: Ja cilat janë shërbimet që mund të realizoni në portalin E-Albania
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon se tashmë të gjithë operatorët e biznesit ushqimor mund të realizojnë në portalin online të e-albania këto dy shërbime si më poshtë:
Notifikim Etikete
Sipas njoftimit ky shërbim u mundëson operatorëve ushqimorë të cilët janë përgjegjës për etiketimin e produkteve ushqimore, të aplikojnë për notifikimin e etiketës.
AKU bën me dije se bazuar në nenin 36, “Për Etiketimin e Ushqimeve dhe Informimin e Konsumatorit”, ushqimi që nxirret në treg duhet të pajiset me etiketë dhe referuar VKM së etiketimit, nenin 8, pika 8, përcakton se Operatori i Biznesit Ushqimorë, i cili është përgjegjës për etiketimin e produkteve ushqimore, bën notifikimin e etiketës pranë Drejtorive Rajonale të AKU-së.
Dokumentacioni i nevojshëm dhe që duhet të ngarkohen nga aplikanti:
– Etiketën/etiketat e produktit/ve ushqimore
– Raport analizën laboratorike të vlerave ushqimore për produktin/et (përjashtohen vetëm ato kategori produkti të listuara në Shtojcën V të VKM nr.434 datë 11.07.2018 “Për Etiketimin e Ushqimeve dhe Informimin e Konsumatorit”)
Raport analizë laboratorike për produktet ushqimore
AKU njofton se ky shërbim mundëson aplikimin për kryerjen e analizave në kuadër të kontrollit zyrtar për mostra të planifikuara në planin kombëtar të kontrolleve zyrtare me bazë risku dhe marrjes së mostrave për ushqimin, ushqimin për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore, si dhe plani i marrjes së mostrave në PIK, për Operatorë të Biznesit Ushqimor, të cilët prodhojnë/përpunojnë/ambalazhojnë produkte të cilat janë të destinuara për t’u nxjerrë në treg.
Sipas informacionit të publikuar shërbimi për autokontrollet ofrohet vetëm për diagnostikimin e sëmundjeve dhe parazitëve të ndryshëm në kafshë dhe për diagnostikimin e dëmtuesve dhe parazitëve në bimë dhe produkte bimore.
Dokumentacioni i nevojshëm dhe që duhet të ngarkohen nga aplikanti është mandati i arkëtimit ne rastin e analizave në kuadër autokontrolli.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.