AKU kontrollon ushqimin në qendrat e grumbullimit të produkteve ushqimore për të dëmtuarit nga tërmeti
Autoriteti i Kontrollit Ushqimor ka njoftuar se është duke vazhduar intensivisht monitorimin e të gjitha pikave të grumbullimit të produkteve ushqimore, resorteve apo hoteleve ku janë strehuar personat e prekur nga tërmeti.
Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë ka ngritur grupe të posaçme të kontrollit me qëllim kontrollin e situatës në të gjitha vendet ku u shërbehet banorëve duke u bërë garant i sigurisë së shëndetit të tyre, vazhdon njoftimi. Sipas publikimit vendet e monitoruara deri më tani janë si më poshtë:
- Magazinat e Komandës Mbështetëse të Logjistikës dhe ajo e Rezervave të Shtetit nr. 8 në Lundër.
- Shkolla 9 – vjeçare Lundër
- Njësia e Emergjencave Civile të Bashkisë Tiranë
- Hotel Kontinental
- Shkolla 9 – vjeçare Marqinet
- Qendra Kulturore e Bashkisë Vorë
- Qendra Kulturore Kamëz
- Stadiumi i Kamzës
- Kompleksi Diamma
- FAFA Resort
- Resorti Bonita
- Kolaveri
- ALER Group
- Prestige Hotel and Resort
Gjithashtu sipas AKU nga kontrollet e kryera kanë rezultuar disa produkte me afat të kaluar përdorimi, produkte të cilat ruheshin në kushte të papërshtatshme, të cilat janë diferencuar dhe asgjësuar në bashkëpunim edhe me personat përgjegjës të këtyre ambienteve. “Në pjesën më të madhe të rasteve është konstatuar se ambientet dispononin kushte të përshtatshme të ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimeve, kushte të përshtatshme higjeno-sanitare dhe produktet ishin brenda afatit të përdorimit, si rrjedhojë janë të sigurta për konsum,” shkruhet në njoftim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.