Akuzat ndaj zyrtarëve do të verifikohen – Rama në Durrës: Pastrimi i administratës do bëhet sipas ligjit

Spastrimi i administratës nga personat e korruptuar do të bëhet përmes një strukture të mirëfilltë, e cila do shqyrtojë vërtetësinë e çdo akuze e pakënaqësie ndaj zyrtarëve.
Nga qyteti i Durrësit, në vijim të turit të dëgjesave me qytetarët, kryeministri Edi Rama, sqaroi se reformimi i administratës do të bëhet përmes një procesi transparent e ligjor, kurrsesi përmes një klime presioni e terrori.
“Nuk ka listë të zezë të asnjë lloj forme është thjesht një raport komentesh. Kush e interpreton këtë si metodë të re dhe si instrumenti që bëhet për të krijuar një klimë terrori. Gjithçka do të bëhet në mënyrë ligjore, demokratike dhe gjithçka është e strukturuar. Nuk është çështje Facebook-u, është e strukturuar deri në detaje”.
Rama premtoi gjithashtu se Qeveria parashikon reduktim, si të Ministrive, ashtu dhe të institucioneve të panevojshme që u vështirësojnë jetën qytetarëve.
“Të gjitha këto po i përgatisim që në fillim të Shtatorit të jemi gati me blloqet e mëdha, duke filluar nga qeveria e re, që do të jetë më e vogël, më eficente dhe patjetër, do të ketë kapacitetin për të garantuar bashkëqeverisjen. Nuk do të ekzistojnë më ministri dhe agjenci që nuk begenisin t’i lexojnë dhe jo më t’u kthejnë përgjigje njerëzve. Struktura e komunikimit me njerëzit do të jetë e re dhe e fuqishme për të verifikuar çdo ankesë. Ata që largohen nga administrata për arsye mospërfillje të njerëzve nuk kanë të drejtë të afrohen për 10 vite”.
Gjatë dëgjesës me qytetarët e Durrësit, Rama u ndal edhe te procesi i vettingut, i cili tashmë ka nisur dhe shumë shpejt do të japë edhe rezultatet e duhura.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.