Alarmi i Avokatit të Popullit – Raporti: Institucionet publike nuk ekzekutojnë vendimet e gjykatave në përmbarim
Viti 2018 ka shënuar një rritje të ankesave te Avokati i Popullit për mosekzekutim të vendimeve të formës së prere nga ana e institucioneve shtetërore. Në raportin e vet zyrtar për vitin 2018, e konsideron refuzimin e administratës për të zbatuar këtë detyrim ligjor një çështje problematike sistemike, si dhe shkelje të kushtetutës.
Në procesin e shqyrtimit të ankesave të administruara gjatë vitit 2018, me objekt, mosekzekutimin e titujve ekzekutiv, Avokati i Popullit gjykon se, si shkak që ndikon në mosrespektimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor evidentohet edhe problematika që mbart Udhëzimi nr.1 datë 04.06.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të njësive të qeverisjes së përgjithshme në llogari të thesarit”, si dhe mosmiratimi prej Ministrisë së Financave i projekt buxheteve të institucioneve debitore, në të cilat përfshihen dhe detyrimet në të holla të rrjedhura sipas vendimeve gjyqësore.
Por Avokati i Popullit permed edhe një seri problemesh të tjera, siç janë mungesa e cilësisë profesionale si dhe mosnjohja e legjislacionit nga ana e përmbaruesve gjyqësorë. Por edhe mungesën e vullnetit apo frikën e përmbaruesve gjyqësor, për vendosjen e sanksioneve ndaj subjektit pranë personit të detyruar.
Në raport Avokati i Popullit bën me dije se numri më i madh i ankesave të këtij lloji i drejtohen përmbarimit shtetëror.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.