Alarmi: Lloji i ri i Covid-19 / A do ta përballë vaksina që po shpërndahet?

Viruset ndryshojnë gjatë gjithë kohës. Shumica e varianteve të reja shuhen. Ndonjëherë ato përhapen pa ndryshuar sjelljen e virusit. Por herë pas here, ato shkaktojnë ndryshime dramatike.
Dhe pyetja që tani përball shkencëtarët është e drejtpërdrejtë: a bie varianti VUI-202012/01 në këtë kategori të fundit? A paraqet një rrezik të shtuar shëndetësor?
Këto pyetje kryesore, të debatuara javën e kaluar pasi sekretari i shëndetësisë Matt Hancock zbuloi ekzistencën e variantit të ri, u përgjigjën me forcë dje, nga shefi mjekësor i qeverisë, Chris Whitty.
“Si rezultat i përhapjes së shpejtë të variantit të ri, të dhënat paraprake tregojnë ritme rritjeje së shpejtë të incidencës në jug-lindje,” njoftoi ai.
Shfaqja e variantit të ri është alarmante – megjithëse duhet të theksohet se ka pasur disa mutacione të mëparshme të Covid-19. Muajin e kaluar, qeveria daneze zbuloi që qindra raste Covid-19 ishin të shoqëruara me variante Sars-CoV-2 të ardhura nga ferma kafshësh. Dhe në tetor, analizat sugjeruan një variant të koronavirusit që buronte nga punëtorët spanjollë të fermave të përhapur me shpejtësi nëpër Evropë dhe që përbënin shumicën e rasteve në Mbretërinë e Bashkuar.
Çështja tjetër e madhe është nëse varianti i ri do të jetë në gjendje të anashkalojë mbrojtjen e ofruar nga vaksinat Covid-19 që tani po administrohen në të gjithë Britaninë.
“Nëse varianti i ri do të kishte një ndikim të madh në ashpërsinë e sëmundjes, ne do ta kishim parë atë deri tani,” tha Ewan Birney, zëvendës drejtor i Përgjithshëm i Laboratorit Evropian të Biologjisë Molekulare dhe drejtor i përbashkët i Institutit Evropian Bioinformatics në Kembrixh.
Përveç kësaj, Birney tha se vaksinat janë testuar me shumë variante të virusit. “Pra, vaksinat do të funksionojnë dhe kundër këtij lloji të ri, megjithëse kjo mbetet për t’u testuar.”
D.B – SCAN
Burimi: The Guardian
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.