Albgaz bëhet pjesë e Rrjetit Europian të Operatorëve të Transmetimit të Gazit natyror
Shoqëria Albgaz, operatori i kombinuar i gazit në Shqipëri, ka marrë statusin e vëzhguesit pranë Rrjetit Europian të Operatorëve të Transmetimit të Gazit Natyror (ENTSO-G), duke u bërë kështu zyrtarisht pjesë e tij.
Ky status është niveli më i lartë i anëtarësimit për një vende jo anëtar në Bashkimin Europian dhe i jep shoqërisë me kapital shtetëror të marrë pjesë në të gjitha takimet dhe mbledhjet e kësaj organizate.
Aderimi i kompanisë është zyrtarizuar me firmosjen e anëtarësimit nga administratori i shoqërisë, Arber Avrami. Tashmë Albgaz do të listohet ndër kompanitë vëzhguese, si GA-MA Ad e Maqedonisë, si dhe operatorët përkatës të Moldavisë, Norvegjisë, Zvicrës dhe Ukrainës. Në total janë 45 operatorë të anëtarësuar dhe 2 partnerë nga 26 shtete europiane, si dhe 5 vëzhguesit e mësipërm.
Tubacioni i gazit Fier-Vlorë, projekti i parë prioritar në Masterplanin e Gazit të Shqipërisë tashmë është zyrtarisht pjesë e planit 10-vjeçar të zhvillimit të ENTSO-G.
Roli i ENTSOG është të lehtësojë dhe përmirësojë bashkëpunimin midis operatorëve të sistemit të transmisionit të gazit në të gjithë Evropën në mënyrë që të sigurohet zhvillimi i një sistemi transmetimi panevropian në përputhje me Bashkimin Evropian për qëllimet e energjisë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.