Alfano në “Corriere della Sera” për Triesten – Vendet e Ballkanit marrin vetë në dorë të ardhmen

Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano ka folur në të përditshmen “Corriere della Sera” mbi rëndësinë që ka pajtimi i Ballkanit për sigurinë e gjithë Europës. Vetëm pak para nisjes së Samitit të Triestes, Alfano thotë se shpirti që bashkon punimet është pikërisht ribashkimi i kontinentit, si një investim strategjik për paqe, siguri dhe demokraci.
Pasi rikonfirmoi vullnetin e Bashkimit Europian për rrugën e anëtarësimit që secili nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndjekë, ai u shpreh se kjo do të ndodhë vetëm përmes një angazhimi të fortë në konsolidimin e institucioneve demokratike, zbatimit të sundimit të ligjit dhe zhvillimit të ekonomive moderne e konkurruese.
Takimi në Trieste është etapa e katërt e Procesit të Berlinit, pas takimeve në Berlin, Vjenë dhe Paris. Alfano shprehet se vendet e BE së bashku me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të punojnë për të arritur këto rezultate konkrete:
1) miratimin e një pakete të re domethënëse me projekte të reja infrastrukturore në energji dhe transport, për një angazhim financiar që arrin në gjysmë miliardi euro. Gjatë vitit të shkuar janë hapur edhe kantieret e para të projekteve të aprovuara në takimet paraardhëse;
2) thellimin e integrimit ekonomik rajonal për të liruar potencialin e një tregu prej 20 milionë njerëzish;
3) firmën e Traktatit institucional të Komunitetit të Transportit, për të krijuar një hapësirë të integruar në planin e standardeve teknike dhe të rregullave;
4) një shtysë të fortë zhvillimit të sektorit privat dhe në veçanti SME-ve;
5) një përforcim të kapaciteteve për të parandaluar dhe shtypur korrupsionin;
6) zgjerimin e mundësive të ofruara gjeneratave të reja, falë edhe funksionalitetit të plotë të zyrës rajonale për Bashkëpunimin rinor (Ryco), që përkon me 30-vjetorin e programit Erasmus.
Në fund të artikullit, Alfano shprehet se këto janë objektiva të rëndësishëm dhe që dëshmojnë vullnetin e Bashkimit Europian për të çuar Ballkanin Perëndimor në vijën e finishit të integrimit europian. Por njëkohësisht, kjo dëshmon edhe një vullnet të rritur të vetë vendeve për të marrë në dorë drejtimin e së ardhmes së tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.