“Alitalia” 10-fishon biletat – Sezoni veror, nuk ka më klas ekonomik, tarifa të plota
Pas referendumit që prodhoi kaos për Alitalian, dhe që rrezikon ta çojë kompaninë drejt falimentit të pashmangshëm, tre ministrat italianë, të ekonomisë, punës dhe transportit, deklaruan se qëllimi i vetëm për momentin është që të minimizohen kostot për italianët dhe për pasagjerët.
Por, kjo duket se nuk do të ndodhë. Që prej ditës së Mërkurë, kompania ajrore, ka shtrenjtuar biletat për tre muajt e ardhshëm.
Alitalia vë në dispozicion vetëm tarifa të plota, pra nuk ka më ndarje të klasit ekonomik. Një udhëtim me Alitalian, vajtje-ardhje, tashmë kushton mes 700 dhe 1000 euro.
Kjo gjë mund të nxisë edhe kompanitë ajrore low cost që të rrisin çmimet. Alitalia shfrytëzon kështu sezonin veror, ku koeficenti i shitjes së biletave dhe mbushjes së avionëve është mjaft i lartë, duke mos i lënë zgjidhje tjetër pasagjerëve, sidomos klientëve të Alitalias, të cilët përfitojnë edhe nga sistemi i bonuseve me pikëzim.
Deri në mesjavë, çmimet e biletave brenda vendit kushtonin 100 deri në 200 euro mesatarisht, ndërkohë që tanimë janë shtrenjtuar deri në 10-fish.
Kjo do të thotë se, shumë pak pasagjerë do të zgjedhin Alitalian gjatë këtij sezoni, dhe se kompania në të vërtetë ka vënë një bast, që me shumë pak gjasa do ta fitojë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.