Alitalia, marrëveshje me sindikatat-Pritet dakordësia nga stafi, nuk do të pezullojë fluturimet

Kompania ajrore italiane Alitalia, ka arritur një marrëveshje me sindikatat për të shpëtuar nga kolapsi. Marrëveshja është ende në pritje për miratim nga punonjësit e Alitalia në një votim gjatë javës që vjen. Nëse dakordësia miratohet, kompania që ndodhet në vështirësi financiare, nuk do të pezullojë fluturimet.
Në 2014-ën, kur Etihad e Emirateve të Bashkuara bleu 49% të pronësisë të Alitalia, mendohej se kompania italiane do të përmbyste ecurinë negative. Megjithatë, kjo rezultoi më e vështirë se sa dukej, pasi Alitalia u gjend përballë konkurruesve low-cost.
Më herët gjatë vitit, kompania shtyu projeksionet për kthimin në përfitueshmëri deri në 2019-ën dhe shtoi se kjo do të arrihet nëpërmjet 1 miliardë euro reduktime në kosto, përfshirë shkurtimin e 2,000 punonjësve dhe uljen me 30% të pagës për pilotët. Ky plan u prit me kundërshtim nga sindikatat, duke shkaktuar negociata të ashpra që përfunduan ditën e Premte.
Tre pikat kryesore të marrëveshjes përfshinë një reduktim të shkurtimeve nga puna në 1700 punonjës, dhe uljen e pagave në vetëm 8%, ndërsa Invitalia, agjencia kombëtare e tërheqjes së investimeve, do të ofrojë një garanci në formën e kapitalit emergjencë. Nëse marrëveshja miratohet, Alitalia do të marrë financim jo vetëm nga pronarët arabë, por edhe nga aksionerët italianë përfshirë UniCredit dhe Intesa Sanpaolo.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.