ALUIZNI i kalon Ministrisë së Drejtësisë – Gjonaj merr institucionin nën varësi

Teksa Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Ndërtimore Informale po kalon një fazë ristrukturimi të plotë, qeveria ka vendosur edhe për Ministrinë që do ta ketë nën varësi këtë institucion.
Pas shkrirjes së Ministrisë së Zhvillimit Urban me riorganizimin e qeverisë, ALUIZNI do t’i jepet si kompetencë Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa ajo që pritej ishte që ALUIZNI të kalonte nën varësi të kryeministrit.
Do të jetë ministrja e re në kabinet, Etilda Gjonaj që do të ketë kontrollin e kësaj agjencie.
Vendimi vjen 10 ditë para mbylljes së afatit për aplikim për krerët e 16 drejtorive rajonale të ALUIZNI-t.
Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave në Vlorë, u vendos se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave të administrimit të ujërave, deri në miratimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor, në bazë të të cilit do të përcaktohet organi që ngarkohet me përgjegjësinë e administrimit të ujërave.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.