Amazon “financon” hapësirën, Bezos shet $1 mld aksione çdo vit për Blue Origin

Themeluesi i Amazon.com, Jeff Bezos, tha se po shet aksione të kompanisë në vlerën e 1 miliardë dollarëve çdo vit, për të financuar hulumtimet në kompaninë Blue Origin, që në të ardhmen mund të çojë njerëz në hapësirë kundrejt një pagese.
Blue Origin priste të fillonte udhëtime testuese këtë vit, me pilotë dhe inxhinierë të kompanisë, por Bezos thotë se kjo me shumë gjasa mund të shtyhet në 2018-ën. Jeff Bezos, personi i dytë më i pasur në botë pas Bill Gates, ka thënë më parë se ka investuar paratë e gjeneruara nga gjiganti i tregtisë online Amazon te BlueOrigin, që kur e themeloi kompaninë e eksplorimit të hapësirës përpara 1 dekade.
Anija kozmike do të ketë dritaret më të mëdha të përdorura ndonjëherë te këto, për të cilat Jeff Bezos thotë se është një element tjetër që do të nxisë njerëzit të paguajnë 300 mijë dollarë për udhëtimin.
Kapaciteti i anijes është për 6 persona. Blue Origin do të ketë konkurrencë, pasi SpaceX e Elon Musk planifikon të nxjerrë 2 turistë në hapësirë vitin që vjen, ndërsa Virgin Galactic e Richard Branson po përpiqet të ndjekë të njëjtën rrugë. Blue Origin do të reduktojë kostot e udhëtimit duke i bërë anijet të ripërdorshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.