Amazon thyen rekord – Kalon Microsoft në vlerë tregu, ka përpara vetëm Google dhe Apple
Vlera në treg e Amazon, e matur nga çmimi i mbylljes në tregtinë e fundit shumëzuar me numrin e aksioneve në qarkullim, u rrit në 702.5 miliardë dollarë këtë javë dhe ka kaluar për herë të parë gjigantin e teknologjisë Microsoft, që vlen 699.2 miliardë dollarë. Vetëm Apple dhe Alphabet janë tashmë përpara Amazon, në kompanitë me vlerën më të madhe në botë.
Microsoft ka zbritur në vend të katërt, ndjekur nga kompania kineze Tencent dhe Facebook. Amazon shtoi 2.6% në tregtinë e së Mërkurës, në 1451 dollarë për aksion, ndërsa Microsoft u rrit me 1.6% në 90.8 dollarë.
Ndërkohë që shitësi online me pakicë është rritur me 73% në vitin e kaluar, kreu ekzekutiv Jeff Bezos është kthyer në personin më të pasur në botë, duke kaluar themeluesin e Microsoft, Bill Gates. Të dy kompanitë janë krijuar në fusha të ndryshme të biznesit, por tashmë po garojnë në infrastrukturën cloud.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.