Amazon zbulon “sferat” – Kampusi gjigand që do të mbajë brenda mijëra bimë

Kur Amazon filloi të ndërtonte kampusin e tij të ri para 5 vjetësh, ai u përqendrua tek bashkimi i natyrës me dizajnin. Kompania erdhi me propozimin e të ndërtuarit tre sfera gjigande të cilat do të mbajnë në brendësi bimë, pemë dhe punonjësit e kompanisë.
Amazon prezantoi më në fund këtë strukturë dhe bëri mbjelljen e parë ceremoniale të bimës së parë, nga 400 specie që do të mbillen në të ardhmen. Bimët do të sillen nga mbi 50 shtete dhe mes tyre është e parashikuar të vijë dhe një pemë 18 metra e lartë.
Në total kampusi i korporatës në qendër të Seattle-it do të kushtojë 4 miliardë dollarë dhe do të hapet për punonjësit në fillim të 2018-ës.
Sipas Amazon, në këtë mënyrë punonjësit mund të mendojnë dhe punojnë ndryshe.
“Ato janë rezultati direkt i të menduarit inovativ mbi karakterin e vendeve të punës dhe një bisede të zgjatur mbi çfarë mungon zakonisht në zyrat urbane: një lidhje direkte me natyrën”
Gjatë ditës, sferat do të kenë temperaturën 22 gradë celcius dhe mbi 800 veta staf.
Ron Gagliardo është botanisti në krye të ekipit që do të mbikëqyrë bimësinë në sfera. Shumëllojshmëria e llojeve të bimëve ka bërë që struktura e ndërtesave të bazohet rreth tyre.
“Disa bimë si myshku, fieret nuk e kanë problem dritën e ulët, por të tjera si pema aloe afrikane kërkon shumë diell. Arkitektët erdhën me idenë e paneleve trekëndore, të cilat lejojnë më tepër dritë në sferë. Ndërkohë 90 drita gjigande LED do të ofrojnë dritë atje ku është më e nevojshme”, thotë Gagliardo.
Ai tregon se karakteristikat e bimëve do t’i vështirësojnë punën, por kjo nuk e bën atë më pak të pëlqyeshme.
“Koleksioni është aq divers sa do të ishte e pamundur të instalonim një sistem ujitjeje automatik. Çdo ditë ekipi do të endet nëpër biodome, mes punonjësve të zyrave dhe drejtuesve për të ujitur mijëra bimët. Është një punë si në ëndërr. Nuk e kisha menduar se do të bëja hortikulturë këtu pranë Amazon”, tha ai.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.