Ambasadori i Hungarisë, Lorent Balla në “PASSPORT”: Besoj se Shqipëria do hapë negociatat
Ambasadori i Hungarisë në Shqipëri z. Lorent Balla me një shqipe të shkëlqyer ka folur për emisionin “PASSPORT” të gazetarit Arbër Hitaj në TV SCAN.
Ambasadori Balla, thekson se raportet politike mes dy vendeve tona në aspektin politik janë në nivele shumë të mira, por mund të bëhet më shumë në aspektin ekonomik.
Ambasadori Balla, që më herët ka shërbyer edhe në Kosovë, thotë se mes dy vendeve ka simpati që daton që nga periudha e hershme Skënderbeut, kur pati edhe aleancë me princin hungarez, Yanosh Huniadi.
Një sfidë drejt integrimit zoti Balla thotë se është edhe reforma në drejtësi, ku duhet një reformë e pandikuar nga politika, pasi shteti i të drejtës është një element shumë i rëndësishëm.
Në lidhje me procesin e integrimin ambasadori Balla, thotë se Hungaria është një nga shtetet që e ka mbështetur dhe do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë për t’u bërë pjesë e Unionit. Ambasadori shprehet besimplotë se Shqipëria do të hapë negociatat me BE gjatë kësaj jave.
Intervistën e plotë me ambasadorin do të mund ta ndiqni sonte në orën 20:15 në ekranin e Televizionit SCAN.
Arbër Hitaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.