Ambasadori i Rumanisë Perpelea flet për SCAN: Lejet e ndërtimit, me leje të specializuar sizmike
Ambasadori i Rumanisë, Mircea Perpelea, në një intervistë për emisionin PASSPORT në RTV SCAN, foli për ndihmën që ka dhënë Rumania në ditët e para të tërmetit dhe çfarë duhet të bëhet për të patur godina më të sigurta në të ardhmen.
Duke folur edhe si një njohës i mirë i inxhinierisë, Ambasadori thotë se duhen masa më të forta për lejet e ndërtimit, përfshirë edhe një leje të specializuar sizmike.
Intervista e plotë:
Ambasador ju falenderoj që pranuat të jepni këtë intervistë për emisionin PASSPORT në RTV SCAN, Rumania ka qënë një nga shtetet e para që u angazhua maksimalisht për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e kësaj situate. Sa ndihma kanë ardhur konkretisht?
Mund t’ju jap shumë shifra dhe do ja ua jap, por përpara se t’ju jap shifra besoj se është mirë të nënvizojmë faktin se Rumania, dëshiroi dhe u përpoq të jepte një ndihmesë të madhe në këto momente të vështira. Ne e kuptuam që në fillim se në Shqipëri ka nevojë dhe për ne.
Ishim të pranishëm që ditën e parë. Erdhën 2 avionë të mëdhenj transporti, Hercules me 54 specialistë, ushtarakë të specializuar për të tilla situata me 12 tonë ndihma, pas disa ditësh mbërritën ndihma të përbëra nga çadra, krevatë, dyshekë, batanije, çarçafë shumë të nevojshme në këte periudhë dhe mund të them se ditën e enjte do të mbërrijnë dhe 3 kamionë me materiale të nevojshme të kërkuara nga autoritetet shqiptare.
Po ju ku ndodheshit në momentin e tërmetit, si e përjetuat atë?
Përsa më përket, isha në shtëpi, e ndjeva shumë fuqishëm këtë moment. Mund t’ju them se në historinë time, në historinë e Rumanisë, por tani po flas për historinë time personale, miqësia jonë, lidhjet tona dhe ndjenjat e veçanta besoj se qëndruan në bazën e ndërhyrjes të shpejtë dhe shpresoj të vlefshme në situatën tragjike të krijuar.
Çfarë mund të mësojë Shqipëria nga eksperienca rumune në përballimin e këtyre situatave?
Në rradhë të parë, ne kemi i mësuar që në moshë të vogël, të rinj, për faktin që është e mundur që një femomen i tillë të ndodhë. Ashtu si dhe e dimë është e vështirë për tu parashikuar, por dhe pas eksperiencës fatkeqe që kemi pasur, në rastin e Rumanisë ishin më shumë se 1400 të vdekur në vitin 1977, dëmtime materiale shumë shumë të rënda dhe në atë kohë u morën masa, përfshi dhe ato edukative në mënyrë që popullata të jetë e informuar, të krijohen vendshpëtime, të krijohen ekipe të specializuara të cilat të jenë në gadishmëri për të ndërhyrë në rastin e situatave të tilla. U morën masa që informacione lidhur me situata të kësaj natyre t’iu përcillen fëmijëve dhe shumë masa të tjera në kuadër të disa institucioneve të specializuara vetëm për situata fatkeqësie natyrore.
A keni një mesazh për shqiptarët për të kaluar këtë moment të vështirë, që po zgjat për shkak të lekundjeve?
Mesazhi im është që, në rradhë të pare, në qoftë se flasim për Rumaninë dhe Shqipërinë, popullata dhe autoritetet mund të mbeshteten në ndihmën e Rumanisë. Ne do të jemi pranë, ashtu si në të gjitha momentet e të shkuarës tonë të përbashkët.
Një mesazh tjetër do të ishte fakti se kam vënë re se autoritetet mundohen të marrin masat më të përshtatshme dhe me ndihmën e shteteve të cilat ashtu si dhe Rumania, më shumë ose më pak u përfshinë ose do të përfshihen dhe besoj se mesazhi më i rëndësishëm të cilin doja të jepja, duke pasur parasysh dhe faktin se unë kam një përvojë në Turqi ku besoj se në vitin 1997 ishte një situatë e ngjashme ku isha dhe vetë i pranishëm dhe do të doja t’ju thoja nisur dhe nga fakti se dhe unë jam specialist, doktor në shkenca inxhinierike se nuk duhet të ndërtohet pa një leje të specializuar.
Kjo është baza e cila mund të sigurojë minimalisht, mund të ekzistojnë dhe kushte më të vështira, katastrofa më të rënda por kushtet teknike duhen të sigurohen që në fillim, gjithçka që ndërtohet duhet të miratohet nga specialistë.
Ambasador ju falenderoj për kohën tuaj.
Ju falenderoj dhe ju. Mund t’ju them se ditën e enjte presim dhe 15 specialistë, inxhiniere ndërtimi për të analizuar situatën, pra edhe një angazhim tjetër nga ana jonë që vjen si ndihmë në këtë situatë me të vërtetë të vështirë për Shqipërinë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.