Ambasadorja e re amerikane zhvillon takimin e parë me kryeprokurorin Çela. Në fokus reforma në drejtësi
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim ka zhvilluar sot takimin e parë me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela. Teksa uroi këtë të fundit për zgjedhjen e tij së fundi në detyrën e re, ambasadorja premtoi ndihmë teknike të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar Shqipërinë në vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi.
Ambasadorja Kim nxiti prokurorët që, ndërsa përmbushin premtimin e një gjyqësori të pavarur me drejtësi për të gjithë, t’i përqasen punës me mendësinë e shërbimit publik, integritetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Kjo vazhdë takimesh me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar do të vijojë përgjatë muajve në vijim, teksa pritet që ambasadorja e re amerikane t’i japë një shtysë të re zhvillimit të shtetit të së drejtës në vendin tonë dhe ku në fjalimin e parë që mbajti, u shpreh se është e gatshme të shtyjë përpara të gjitha reformat e ndërmarra deri më tani.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.