Ambasadorja Yuri Kim takim me Këshillin e Lartë të Prokurorisë: ‘Ky është një moment kyç për reformën në drejtësi’

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kryesuar nga Kryetari, zoti Gent Ibrahimi, zhvilluan ditën e sotme një takim zyrtar në ambientet e Këshillit, me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Yuri Kim.
Pavarësia, llogaridhënia dhe disiplina e prokurorëve ishin temat e takimit.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjendet në një fazë të rëndësishme dhe delikate të punës së tij.
Prej Këshillit kërkohet garantimi i parimit të meritokracisë në procesin e emërimit të drejtueseve të zyrave të prokurorisë, në emërimin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe në procesin e transferimit të prokurorëve.
Kjo mënyre pune do të shënojë një fillim të ri, me rezultate të pritshme në cilësinë profesionale dhe integritetin e prokurorëve.
“Takimi i sotëm me ambasadoren amerikane, znj. Yuri Kim, shërben si një mundësi për të pohuar edhe njëherë rëndësinë e këtij procesi, në të mirë të sistemit të prokurorisë dhe të shoqërisë. Kryefjala e angazhimit të Këshillit mbetet reformimi i sistemit të prokurorisë si një element kyç në forcimin e sundimit të ligjit dhe në rritjen e besimit të publikut tek institucionet ligjzbatuese.” – u shpreh Kryetari Ibrahimi.
Ambasadorja Kim theksoi se ky është një moment kyç për reformën në drejtësi, dhe se institucionet e reja duhet të demonstrojnë pavarësi, integritet dhe guxim, duke u rezistuar presioneve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.