Ambasadorja Yuri Kim takim në SPAK dhe KLP: “Të goditet korrupsioni në nivele të larta”
Ambasadorja e SHBA-së në Amerikë, Yuri Kim po vazhdon me takimet bilaterale në institucionet publike të shtetit shqiptar.
Pas vizitës në Presidencë, Kuvend dhe me Kryeprokurorin, radha e takimeve për ditën e sotme përfshinte institucionin më të ri të Reformës në Drejtësi, SPAK.
Ambasadorja pati një takim me kreun z.Arben Kraja dhe prokurorët e strukturës për t’i siguruar atyre mbështetjen e vazhdueshme teknike që SHBA-të do të japin për të ngritur Byronë Kombëtare të Hetimit dhe mjetet e nevojshme për të luftuar korrupsionin.
“Takimi i sotëm i Ambasadores së Shteteve të Bashkuara Yuri Kim me prokurorët e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme ofroi një mundësi të shkëlqyer për të shkëmbyer pikpamjet mbi ndihmën e vazhdueshme teknike të Shteteve të Bashkuara, ndërsa ata përballen me krimin e organizuar dhe hedhin hapat e para për të themeluar Byronë Kombëtare të Hetimit.”
Më pas ambasadorja ka vazhduar për një tjetër takim me anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke i përgëzuar për punën e tyre në ndërtimin e institucioneve. Ajo ka inkuruajuar vazhdimin e punës për të goditur korrupsionin në nivele të larta:
“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Kim u takua me anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe i përgëzoi ata për ngritjen e bazave për themelimin e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme dhe për përpjekjet e tyre të vazhdueshme në rekrutimin e prokurorëve të rinj. Ajo vuri theksin në angazhimin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të punës së tyre në qeverisjen e sistemit të prokurorisë ndërsa Shqipëria zgjeron përpjekjet e saj për të ndëshkuar korrupsionin në nivele të larta.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.